Në vend të ndihmojë popullin, Kuvendi bën tender 155 milionë lekë për shërbime mirëmbajtje virtuale

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.07.2022, 22:10

Kohët e fundit jetesa e shqiptarëve që jetojnë brenda kufirit të Shqipërisë është vështirësuar së tepërmi. Kjo kryesisht për shkak të rritjes galopante dhe shpesh abuzimeve të çmimeve në përgjithësi por në veçanti të ushqimeve bazë. Kjo nga ana tjetër është përforcuar edhe nga rritja e vazhdueshme e karburanteve, ku edhe pse në botë ulet çmimi i tyre, tek ne ndodh e kundërta.

Pikërisht në këtë situatë vështirësie ekonomike, në vend që të hartojë ligje e politika për t’i ardhur sa më shumë në ndihmë popullit, Kuvendi i bën paratë tona rrush e kumbulla. Në rastin konkret mësohet se kanë shpenzuar mbi 155 milionë lekë të vjetra me TVSH për disa shërbime mirëmbajtje virtuale.

Siç tashmë dihet tenderat që kanë të bëjnë me shërbime janë tepër abuzivë pasi nëpërmjet tyre përqindja e abuzimit të mundshëm është akoma më e lartë. Kështu bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-27173-04-29-2022 dhe me objekt “SHËRBIM MIRËMBAJTJE E INFRASTRUKTURËS VIRTUALE VDI PËR 24 MUAJ”.

Kjo procedurë ka si fond limit vlerën prej 13,330,000 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 160 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke shfletuar dokumentacionin përkatës vihet re se në garë ka marrë pjesë vetëm fituesi... Pra nuk ka patur fare konkurrencë, por i vetmi operator që ka hyrë në tender është shpallur edhe fitues.

Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve “ALBITAL – CANON ” dhe “S&T Albania” me ofertë 12.994.320 lekë të reja pa TVSH ose rreth 155 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo shifër ndërkohë rezulton të jetë sa 97.48% e fondit limit të tenderit. Të gjitha sa më sipër rrisin dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit