Parcelë me bimë narkotike në Peqin, arrestohen dy vëllezërit nga Sauku

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 02.07.2022, 07:47

Gjatë mbrëmjes së djeshme policia e Peqinit ka zbuluar një parcelë me bimë narkotike në fshatin Garunjë.

Mësohet se policia ka arrestuar dhe dy persona që janë gjendur pranë parcelës me bimë narkotike.

Bëhet me dije se janë zbuluar rreth 300 bimë kanabis sativa.

Njoftimi i policisë:

Vijon kontrolli masiv i territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.

Gjenden dhe asgjësohen fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Arrestohen në flagrancë 3 autorët e dyshuar të kultivimit, 2 prej tyre vëllezër me njëri-tjetrin.

Procedohet në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.

Gjatë kontrollit në banesën e 2 vëllezërve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 thikë, 1 automjet, dhe 3 aparate celuare.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin Operacional në DVP Elbasan, kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit. Si rezultat është finalizuar operacioni policor i koduar “Brothers”, gjatë të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Nj. S., 36 vjeç dhe G. S., 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në Sauk, Tiranë;

M. S., 47 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi H. M., me detyrë kryetar i fshatit Garunjë e Madhe, Peqin.

Gjatë kontrollit masiv të territorit, në fshatin Garunjë, Peqin, shërbimet e Policisë kanë gjetur të kultivuar fidanë të dyshuar narkotikë canabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies. Nga veprimet hetimore dyshohet se 3 shtetasit e arrestuar janë autorët e kësaj veprimtarie kriminale.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasve G. S. dhe Nj. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë gjahu, një sasi municioni luftarak, 1 palë dylbi, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 automjet, 3 aparate celuare dhe 1 mjet prerës (thikë).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit