Thellohet skandali, vinçierët që aksidentuan për vdekje 19-vjeçarin në Durrës, paguheshin 1.5 milion nga Pirro Vengu

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.04.2022, 21:24

Pak ditë më parë ju bëmë të ditur ngjarjen tragjike të humbjes së jetës së një punëtori 19-vjeçar në Portin e Durrësit, i quajtur Rufan Belshaku. Fatkeqësisht të riut iu këput jeta në mes për shkak të një manovrimi të pakujdesshëm të vinçit i cili e tërhoqi zvarrë duke i marrë jetën. U mësua se policia arrestoi për këtë ngjarje 3 persona, përkatësisht Rendi Biçaku me funksion përgjegjës turni, në firmën përpunimit të kontenierëve në portin e Durrësit, Nazmi Varaku me funksion manovrator i makinerisë dhe Bledar Troplini me funksion kryemekanik i ofiçinës.

Terminali i konteinerëve aktualisht administrohet nga një kompani bijë e ”Hili Company limited”, e quajtur ”Mariner Adriatik”, themeluar në shkurt 2021 me seli në Durrës dhe origjinë kapitali malteze nga shoqëria mëmë. Kujtojmë se kompania mëmë ”Hili Company limited” ka fituar tenderin e shumëpërfolur prej 30 milion eurosh me objekt “Shërbimi i Menaxhimit dhe Operimit të Terminalit të Konteinerëve në Portin e Durrësit tek operatorë privatë të specializuar për 5 vjet”.

Por pas një hulumtimi të redaksisë së Joq Albania, rezulton se të tre këta persona të arrestuar për vdekjen e 19-vjeçarit Rufan Belshaku, vetëm 1 vit më parë kanë qenë të gjithë punonjës të Autoritetit Portual Durrës të drejtuar nga Pirro Vengu. Madje pagat e tyre kanë qenë tepër të larta, në nivelet nga 1 deri në 1.5 milionë lekë të vjetra. Ky fakt ngre dyshime në lidhje se kush i ka marrë realisht 30 milion eurot e këtij tenderi? Pra përse ishte e nevojshme dhënia me koncesion e terminalit për 30 milion euro, kur punëtorët që do të bëjnë po të njëjtën punë janë po ata që punonin 1 vit më parë te Autoriteti Portual Durrës, pronë e shtetit?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit